Shefi i Misionit të OSBE-së përshëndet përmbylljen e qetë të votimit në Mitrovicën e Veriut
PRISHTINË, 17 nëntor 2013 – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, ka përshëndetur përmbylljen e qetë të votimit në tri qendrat e votimit në Mitrovicën e Veriut.
Votimi u përsërit sot pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të anuluar rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në këto tri qendra. Ky vendim u mor pas incidenteve të dhunshme të datës 3 nëntor, të cilat cenuan sigurinë e lehtësuesve të OSBE-së për zgjedhje dhe të anëtarëve të komisioneve të vendvotimeve, si dhe dëmtuan materialin zgjedhor.
“Jam shumë i kënaqur që sot nuk ka pasur incidente dhe që procesi ka rrjedhur mirë. Të gjithë autoritetet e sigurisë, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, si dhe subjektet politike që garuan në Mitrovicën e Veriut, i kanë kontribuar ambientit të qetë,” tha Schlumberger.
Ai shtoi se të 27 vendvotimet në tri qendrat e votimit janë hapur me kohë dhe kanë qëndruar të hapura deri në orën 19:00.
“Me miratim të KQZ-së, OSBE-ja dhe komisionet e vendvotimeve e kanë paketuar tërë materialin zgjedhor dhe në këtë moment, anëtarët e vendvotimeve si dhe materiali zgjedhor është duke u bartur në Qendrën e KQZ-së për Numërim dhe Rezultate në Prishtinë, ku edhe do të numërohen votat,” tha Schlumberger në orën 20:45.
Ai ka lavdëruar Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in për punën e tyre të shkëlqyeshme, si dhe i ka falënderuar për mbështetjen e tyre.
OSBE-ja po i lehtëson zgjedhjet në katër komuna të veriut të Kosovës, në pajtim me marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit të datës 19 prill, të ndërmjetësuar nga BE.