Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Misioni i OSBE-së prezanton Udhëzuesin për punë efektive të Mekanizmave Komunal kundër Dhunës në Familje
Publishing date: 17 maj 2023
Misioni i OSBE-së në Kosovë prezantoi të mërkurën Udhëzuesin për Punë Efektive të Mekanizmave Koordinues Komunal kundër Dhunës në Familje (MKKDHF), një mjet për të lehtësuar reagimin më efektiv dhe më të koordinuar ndaj rasteve të dhunës në familje. MKKDHF-të synojnë të forcojnë bashkërendimin, shkëmbimin e informacionit dhe angazhimin e të gjithë akterëve përkatës në nivel lokal. Ato përbëhen nga përfaqësues të gjykatave dhe prokurorive, Policisë së Kosovës, drejtorive përkatëse komunale, Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Qendrave për Punë Sociale, strehimoreve lokale për viktimat e dhunës në familje dhe organizatave të shoqërisë civile. Udhëzuesi mbulon bazën ligjore dhe qëllimin e MKKDHF-ve dhe lehtëson një qasje të koordinuar shumë-institucionale, e cila përfshin mbledhjen e të dhënave, raportimin, trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve për anëtarët e MKKDHF-ve. “Ne të gjithë e kuptojmë se sa e rëndësishme është të punojmë së bashku për të parandaluar dhe trajtuar problemin e dhunës në familje. MKKDHF-të, si organe koordinuese në nivel lokal, janë një hap në drejtimin e duhur,” tha Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Udhëzuesi i publikuar sot duhet të shërbejë si një mjet praktik për të ndihmuar anëtarët të rrisin më tej efikasitetin e MKKDHF-ve përmes kuptimit më të mirë të roleve dhe përgjegjësive të tyre,” shtoi Ambasadori Davenport. Udhëzuesi është pjesë e një projekti të mbështetur nga Qeveria Franceze, dhe është hartuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë pas vlerësimit të nevojave, takimeve të gjera me anëtarë të MKKDHF-ve, trajnimeve dhe punëtorive. Ambasadori francez, Olivier Guerot, tha se Franca promovon zbatimin universal të Konventës së Stambollit si pjesë e përpjekjeve të saj në kuadër të diplomacisë feministe. “Financimi i këtij aktiviteti të OSBE-së është pjesë e promovimit të Konventës së Stambollit dhe zbatimit të saj. Ky është një mjet i shkëlqyer për të lehtësuar zbatimin praktik të Konventës dhe ne kishim kënaqësinë të mbështeteshim në përvojën dhe ekspertizën e Misionit të OSBE-së në Kosovë,” tha Guerot. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi se “lufta kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave kërkon një përgjigje gjithëpërfshirëse dhe të mirë-koordinuar të të gjitha institucioneve dhe agjencive të përfshira në çdo rast që nga momenti i raportimit deri tek fuqizimi i viktimës dhe mundësimi i një jete të dinjitetshme, të pavarur dhe pa dhunë.” Deri më sot, gjithsej 33 MKKDHF janë themeluar në shumicën e komunave të Kosovës, 20 prej tyre me mbështetjen e Misionit të OSBE-së. Me 18 maj 2023, Misioni i OSBE-së do të mbështesë themelimin e MKKDHF-së të 34-të në Shtërpcë. Udhëzuesin në gjuhën shqipe, serbe, turke dhe angleze mund ta gjeni këtu: Guidelines for Effective Performance of Municipal Coordination Mechanisms Against Domestic Violence (MCMDVs) | OSCE
Misioni i OSBE-së nis sesione informuese me të rinj të komuniteteve jo-shumicë për t'iu bashkuar Policisë së Kosovës
Publishing date: 11 maj 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
What we do: Të drejtat e njeriut, Policimi, Sundimi i ligjit
Misioni i OSBE-së në Kosovë mbajti dje në Graçanicë takimin e parë nga gjithsej gjashtë sa do të mbahen me të rinj të komuniteteve jo-shumicë për t'i informuar ata rreth mundësive të punësimit në Policinë e Kosovës dhe për t'i njoftuar me procedurat e rekrutimit. Takimet do të zhvillohen së bashku me policinë në rajone të ndryshme në mbarë Kosovën dhe po mbahen në mbështetje të fushatës së Policisë së Kosovës për rekrutim. Në këto sesione, pjesëmarrësit do të mësojnë për procedurat e aplikimit për t'ju bashkuar policisë, duke u përqendruar veçanërisht në kriteret e rekrutimit dhe procesin e përzgjedhjes, përfshirë edhe testet me shkrim, ato fizike dhe psikologjike. Ata do të mësojnë edhe për trajnimin bazik profesional të policisë dhe për rëndësinë e punës së policisë për të kontribuar për komunitetet të cilave u shërbejnë. “Edhe pse korniza ligjore ofron mbrojtje adekuate dhe përfshirje të barabartë të të gjitha komuniteteve në radhët e policisë, përfshirja e komuniteteve jo-shumicë mbetet sfidë për policinë”, tha Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Një forcë policore diverse dhe përfaqësuese i shërben më mirë publikut. E përgëzojmë Policinë e Kosovës për përpjekjet e saj për t’iu qasur të gjitha komuniteteve, duke ofruar informacion të dorës së parë dhe përgjigjur pyetjeve, dhe duke i motivuar njerëzit që të bëhen pjesë e saj për të ofruar siguri për komunitetet e ndryshme të Kosovës”, shtoi ai. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtën dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Përveç trajnimeve të specializuara dhe mundësive zhvillimore për policinë, Misioni punon me Policinë e Kosovës për të shtuar edhe më tej pjesëmarrjen e komuniteteve jo-shumicë dhe grave në radhët e saj. Një video mesazh nga Ambasadori Davenport në mbështetje të kësaj fushate mund ta shikoni këtu: (1) Facebook
“Si të shoh? – Kosovë:” OSBE dhe DokuFest bashkojnë të rinjtë nga komunitete të ndryshme përmes kampit të shkëmbimit ndërkulturor
Publishing date: 8 maj 2023
Misioni i OSBE-së në Kosovë, në bashkëpunim me DokuFest-in, e kanë përmbyllur më 7 maj 2023 kampin e shkëmbimit ndërkulturor tetëditor si pjesë e nismës "Si të shoh? – Kosovë” (“How do I see you? – Kosovo). Aktiviteti bashkoi 14 të rinj nga komunitete, zona dhe prejardhje të ndryshme, me qëllim që të njihen më mirë me njëri-tjetrin dhe së bashku të zbërthejnë paragjykimet që mund të ndikojnë në dialogun dhe mirëkuptimin e ndërsjellë. Aktiviteti ka përfshirë vizita kulturore në mbarë Kosovën, takime me organizata që promovojnë shkëmbimet kulturore dhe dialogun, dhe eksplorim të edukimit medial dhe filmik si mjete për të shkëmbyer përvoja dhe për të tejkaluar dallimet. Pjesëmarrësit patën mundësinë që të sfidojnë pikëpamjet e tyre fillestare se çfarë do të thotë të jetosh në shoqëri shumëkulturore. Ata iu referuan kampit si mundësi e shkëlqyeshme për të njohur më mirë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, dhe për të zbuluar pasurinë e të qenit shoqëri e larmishme dhe gjithëpërfshirëse. “Falë kësaj mundësie, pata rastin të njihem me të rinj tjerë nga komunitete të ndryshme. Kemi shkëmbyer ide dhe pikëpamje dhe çka është më e rëndësishmja, e kemi ndarë këtë përvojë së bashku. Së bashku zbuluam vende të reja dhe u takuam me njerëz frymëzues. Tani mezi pres t'u them të gjithë miqve të mi se sa i mrekullueshëm ishte ky rrugëtim”, tha Doruntina Azemi, njëra nga pjesëmarrësit. Emre Ismaili, një tjetër pjesëmarrës, tha: “Ky kamp na ka bërë që t’i vlerësojmë nuancat e diversitetit”. Si rezultat i këtij aktiviteti, gjatë festivalit të filmit DokuFest i cili do të mbahet nga data 4 deri më 12 gusht 2023 në Prizren, do të organizohet ekspozitë me materiale audio dhe video nga intervistat e pjesëmarrësve me njëri-tjetrin. Këto intervista përqendrohen në këndvështrimet e tyre rreth dialogut ndërmjet dhe brenda komuniteteve, duke ilustruar rrugëtimin e tyre dhe “si e shohin ata njëri-tjetrin”. Misioni i OSBE-së në Kosovë ishte nga mbështetësit e parë të DokuFestit që nga viti 2002, i cili përveç vetë festivalit punon edhe me të rinjtë në kinematografi për të zhvilluar produksionet e tyre personale kreative mbi dialogun dhe tregimet për të drejtat e njeriut.
Misioni i OSBE-së dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi diskutojnë me zyrtarët komunalë në Kosovë rreth balancimit të së drejtës për privatësi me të drejtën për qasje në dokumente publike
Publishing date: 25 prill 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) përmbyllën serinë e pesë punëtorive rajonale mbajtur për më shumë se 100 zyrtarë komunalë nga komunat anembanë Kosovës me temë balancimi i së drejtës për privatësi dhe qasja në dokumente publike. Diskutimet u fokusuan në sfidat që kanë të bëjnë me të dhënat personale të përfshira në dokumentet komunale, të cilat rrezikojnë të zbulohen në procesin e sigurimit të qasjes në të dhënat zyrtare. Pjesëmarrësit prezantuan raste konkrete që dalin nga situata të tilla si publikimi i listave të subvencioneve mjekësore komunale dhe qasja në të dhënat e mbledhura përmes kamerave të vëzhgimit të hapësirave publike. Paneli, i përbërë nga ekspertë të AIP-së, trajtoi pyetjet, duke u ofruar zyrtarëve komunalë përgjigje se si të merren me balancimin e të drejtës për privatësi dhe drejtës për qasjes në informacione publike. Kryetarja e AIP-së, Komisionerja Krenare Sogojeva-Dermaku, tha: “Ekziston një vijë e hollë ndërmjet të drejtës për privatësi dhe qasjes në dokumente publike, e cila nuk është gjithmonë lehtësisht e dallueshme. Prandaj, balancimi i këtyre dy të drejtave është i një rëndësie jetike në vendosjen e standardeve të qarta dhe të sakta, bazuar në praktikat më të mira të zbatimit të këtyre të drejtave.” Komisionerja Sogojeva-Dermaku ftoi pjesëmarrësit që të promovojnë publikimin proaktiv të informatave zyrtare në ueb-faqet e tyre dhe caktimin e zyrtarëve komunalë për mbrojtjen e të dhënave personale, të cilët ende mungojnë në një numër komunash. Për të përsosur kuptimin e kësaj detyre të ndjeshme, z. Ali Topalli, zyrtar komunal përgjegjës për qasje në të dhënat zyrtare në komunën e Fushë Kosovës sugjeroi që AIP të shpjegojë balancimin e të drejtës për privatësi dhe qasjen në dokumente publike edhe për palën tjetër në këtë proces, kërkuesin e informacionit: publikun e gjerë, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat. “Kjo do t'i ndihmojë ata të kuptojnë të gjithë procesin dhe të përmbahen nga parashtrimi i ankesave në situatat kur iu mohohet qasja në informacione zyrtare për të mbrojtur të dhënat personale të një individi,” tha ai. Duke përdorur të dhënat e mbledhura nga këto punëtori, Misioni i OSBE-së, në bashkëpunim me AIP-në, do të hartojë ‘Pyetjet e Bëra Shpesh’ (në gjuhën angleze "FAQ") për balancimin e privatësisë dhe qasjes në dokumente publike, të cilat do t'u shërbejnë zyrtarëve komunalë si një mjet udhëzues në situatat që lindin nga raporti konfliktual midis të drejtës për privatësi dhe qasjes në të dhëna. Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni mbështet AIP-në në promovimin e të drejtës për privatësi dhe qasje në dokumentet publike dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve publikë, duke garantuar në këtë mënyrë transparencë më të madhe ndaj publikut dhe duke siguruar njëkohësisht që të drejtat e tyre të privatësisë të mos shkelen në këtë proces.
Misioni i OSBE-së në Kosovë mbështetë themelimin e Mekanizmit Koordinues kundër Dunës në Familje në komunën e Novobërdës
Publishing date: 16 mars 2023
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport, mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit për themelimin e Mekanizmit Koordinues kundër Dhunës në Familje (MKDHF) në Komunën e Novobërdës. Ambasadori Davenport theksoi se krijimi i mekanizmit koordinues komunal paraqet një hap të madh para dhe dëshmon përkushtimin e Komunës së Novobërdës për reagim të përbashkët institucional më efektiv në luftimin e dhunës në familje. “Funksionimi efektiv i Mekanizmit Koordinues mund të ndihmojë në ofrimin e mbështetjes dhe shërbimeve të nevojshme për viktimat e dhunës në familje, ofrimin e sigurisë dhe përmirësimin e efikasitetit të shërbimeve me bazë në komunitet për të parandaluar dhunën në familje para se te shfaqet," tha ai. Nazlie Bala, këshilltare e ministres së Drejtësisë, tha se e tërë puna, angazhimi dhe përkushtimi nuk do të kishte qenë i mundur pa ndihmën dhe mbështetjen e organizatave ndërkombëtare. “Dëshiroj të veçoj Misionin e OSBE-së në Kosovë, sepse e di se çfarë ka bërë Misioni në fushën e të drejtave të njeriut, veçanërisht në fushën e dhunës në familje. Misioni ka ndihmuar drejtpërsëdrejti si hartues i strategjive dhe planeve të shumta të veprimit për trajtimit e dhunës në familje”, tha ajo. Palë nënshkruese të Memorandumit të Mirëkuptimit janë përfaqësues të gjykatës dhe prokurorisë, Policisë së Kosovës, drejtorive përkatëse komunale, Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Qendrës për Punë Sociale, strehimores lokale për viktimat e dhunës në familje dhe organizatave të shoqërisë civile. Ky është mekanizmi i 19-të koordinues komunal kundër dhunës në familje i krijuar me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë. Këta mekanizma synojnë të forcojnë bashkërendimin, shkëmbimin e informatave dhe angazhimin e gjithë akterëve përkatës në nivel lokal, dhe marrin hapa konkretë për të përmirësuar parandalimin e dhunës në familje dhe për të forcuar mbrojtjen, trajtimin dhe riintegrimin e viktimave.
Misioni i OSBE-së në Kosovë mbështet shoqërinë civile, i dorëzon platformën digjitale të donatorëve rrjetit CiviKos
Publishing date: 1 mars 2023
Misioni i OSBE-së në Kosovë i dorëzoi sot rrjetit të organizatave të shoqërisë civile CiviKos portalin e vet ‘ Kosovo Funding Portal ’ (Portali për financim në Kosovë) – një burim financimi dhe mundësi trajnimi për organizatat e shoqërisë civile. Dorëzimi i platformës është hap që synon rritjen e pronësisë lokale dhe qëndrueshmërinë afatgjate të mjeteve digjitale në mbështetje të angazhimit civil dhe pjesëmarrjes së publikut. Portali është ‘shërbim me një ndalesë’ (one-stop-shop), i pari i këtij lloji në Kosovë, që u mundëson organizatave të shoqërisë civile – pavarësisht madhësisë dhe vendndodhjes së tyre – të kenë qasje në informacione rreth mundësive të ndryshme të financimit dhe zhvillimit profesional të ofruara nga donatorë vendorë dhe ndërkombëtarë. E zhvilluar së bashku nga Misioni i OSBE-së, organizatat e shoqërisë civile dhe kompania e zhvillimit të softuerit 'Appdec', platforma gjithashtu synon të rrisë përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile në jetën publike dhe të mbështesë krijimin e sinergjisë ndërmjet tyre. Që nga lancimi në nëntor 2017, Portali për financim në Kosovë ka publikuar shumë mundësi të financimit, dhe mbetet shumë i rëndësishëm e i përafruar me nevojat e donatorëve dhe organizatave të shoqërisë civile në mbarë Kosovën. “Misioni ynë është aleat i fortë i organizatave të shoqërisë civile, duke përfshirë organizatat që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, që punojnë me grupet e cenueshme dhe që ofrojnë shërbime sociale. Bashkëpunimi dhe koordinimi më i fortë ndërmjet shoqërisë civile, institucioneve publike, komunitetit ndërkombëtar dhe sektorit privat është shumë i nevojshëm, ndërsa zgjidhjet digjitale, siç është Portali për financim në Kosovë, mund të ndihmojnë në lehtësimin e këtij bashkëpunimi e koordinimi”, tha Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Tani ka ardhur koha për të vënë theks të ri në pronësinë lokale duke siguruar qëndrueshmëri afatgjatë të kësaj iniciative, prandaj sot ia dorëzuam këtë platformë CiviKos-it, partnerit të besuar të shoqërisë civile. Kam besim të plotë në aftësinë e tyre për ta shfrytëzuar në maksimum potencialin e plotë të këtij mjeti,” shtoi Ambasadori Davenport. Donika Emini, Drejtoreshë Ekzekutive e Platformës CiviKos, tha, “Portali për financim në Kosovë, të cilin CiviKos me krenari do ta marrë në pronësi, është burim i rëndësishëm për organizatat e shoqërisë civile në Kosovë. Kjo do të përmirësojë ndjeshëm qasjen e tyre në informacion në lidhje me financimin në dispozicion dhe mundësitë e rrjetit. Duke ofruar platformë të centralizuar për informacion lidhur me financimin, CiviKos do të zgjerojë shërbimin e informacionit përtej organizatave të saj anëtare. Për më tepër, ai do të avancohet dhe do projektohet për t'iu përshtatur nevojave në terren, me qëllim që të përafrojë organizatat e shoqërisë civile lokale më shumë dhe të promovojë punën e tyre.” Portali për financim në Kosovë i lejon organizatat e shoqërisë civile dhe donatorët që të regjistrohen në më pak se dy minuta, dhe është i qasshëm këtu: https://kosovofunding.org/
Misioni i OSBE-së, ODIHR trajnojnë Policinë e Kosovës dhe organizatat e shoqërisë civile mbi krimet e urrejtjes
Publishing date: 29 dhjetor 2022
Content type: News
Where we are: Misioni i OSBE-së në Kosovë
Njëzet e tre policë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile morën pjesë në Trajnimin kundër Krimeve të Urrejtjes për Institucionet Ligjzbatuese (TAHCLE), organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR) nga 14 deri më 16 dhjetor 2022. TAHCLE është projektuar për të zhvilluar aftësitë e policisë në identifikimin, të kuptuarit dhe hetimin e krimeve të urrejtjes. Ky trajnim plotëson aftësitë e zyrtarëve policorë në parandalim dhe reagim më të mirë ndaj krimeve të urrejtjes, për ndërveprim efektiv me komunitetet viktimë, si dhe ndërton besimin e publikut dhe bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese. Trajnimi tre-ditor i trajnerëve u fokusua në ndikimin e krimeve të paragjykimit tek komunitetet e prekura, ligjet për krimet e urrejtjes dhe trajtimin dinjitoz të viktimave gjatë të gjitha procedurave ligjore. Tutje, pjesëmarrësit zgjeruan njohuritë e tyre për rolin e policisë, mbështetjen ndaj viktimave dhe regjistrimin e krimeve të tilla, si dhe u pajisën me aftësi trajnimi për të shpërndarë njohuritë tek kolegët e tyre dhe për të vazhduar rritjen e kapaciteteve për reagim më të mirë ndaj krimeve të urrejtjes. Togeri Bahri Bylykbashi, shef i Njësisë për Koordinim, Administrim dhe Mbështetje të Trajnimeve në Policinë e Kosovës, tha: “Patëm kënaqësinë që ta kemi këtë trajnim për Policinë e Kosovës, si dhe të ngrisim kapacitetet tona në hetimin e veprave me paragjykim apo urrejtje. Si zyrtar policie, është e rëndësishme të trajnojmë kolegët tanë që të shikojnë më thellë gjatë hetimit dhe të identifikojnë nëse ka tregues/motive të paragjykimit. Ndërsa mjedisi i policimit evoluon, stafi ynë duhet të jetë i vetëdijshëm se komuniteti më i mirë është ai i larmishmi dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm për nuancat e këtij diversiteti.” Duke folur për ndikimin e trajnimit, Rajmonda Sylbije, drejtoreshë e organizatës joqeveritare Qendra për Zhvillimin e Grupeve Sociale (CSGD) tha, “Si një nga pjesëmarrëset e shoqërisë civile, nuk mund të gjej fjalë të them se sa i vlefshëm ishte trajnimi, materialet dhe burimet për mua. Ishte gjithashtu i vlefshëm pasi bëri bashkë zyrtarët e Policisë së Kosovës të rangjeve të ndryshme dhe organizatat e shoqërisë civile. E di që unë si e vetme nuk mund ta ndryshoj botën, por mund të përpiqem të jem agjente e ndryshimeve shoqërore dhe të kem ndikim tek njerëzit një nga një. Trajnimi është një mjet tepër i çmuar për të luftuar dhe trajtuar krimet e urrejtjes dhe incidentet e urrejtjes dhe më ndihmon të bëj ndryshime pozitive brenda komunitetit tim.” Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni mbetet i përkushtuar për të mbështetur institucionet në përmirësimin e regjistrimit, reagimit dhe parandalimit të rasteve të krimeve të urrejtjes.