Redaksia e lajmeve
News and press releases
Lajme dhe deklarata për shtyp nga veprimtaritë globale të OSBE-së
Prezenca e OSBE-së dhe Kuvendi i Shqipërisë nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për fuqizimin e partneritetit mes tyre
Publishing date: 20 mars 2024
Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory dhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi për të rinovuar dhe fuqizuar partneritetin mes dy institucioneve. Memorandumi krijon kornizën e përgjithshme dhe jep udhëzime për bashkëpunimin mes Prezencës dhe Kuvendit lidhur me programin “Mbështetje për parlamentin e Republikës së Shqipërisë”. “Kuvendi do të vijojë të fuqizojë partneritetin e suksesshëm me Prezencën e OSBE-së për avancimin e reformave demokratizuese dhe integrimin evropian të Shqipërisë”, nënvizoi Nikolla, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes. “Ne jemi krenarë që qëndrojmë si një partner i palëkundur i Kuvendit të Shqipërisë. Ne jemi të gatshëm të punojmë së bashku në përmirësimin e cilësisë së legjislacionit, shërbimeve legjislative, përfaqësimit politik dhe mbikëqyrjes. OSBE-ja në Shqipëri mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kuvendin në këto përpjekje”, tha Pasztory. Sipas memorandumit, Prezenca do të mbështesë Kuvendin në përmirësimin e funksioneve të tij legjislative, mbikëqyrëse dhe përfaqësuese, si edhe administratën parlamentare në përmbushjen e funksioneve të saj, në mënyrë të efektshme dhe gjithëpërfshirëse. Prezenca dhe Kuvendi do të bashkëpunojnë edhe për të shtuar ndërveprimin e Kuvendit me qytetarët dhe për të krijuar e vënë në përdorim mjete novatore për një sistem legjislativ transparent, që përmirëson aksesin në ligjet e konsoliduara dhe arkivat parlamentare. Prezenca e OSBE-së është partnere afatgjatë e Kuvendit të Shqipërisë, mbështetur në mandatin e saj për të ndihmuar përpjekjet e Shqipërisë për konsolidimin e institucioneve demokratike efektive dhe për të promovuar shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, në përputhje me parimet, standardet dhe angazhimet e OSBE-së.
Prezenca e OSBE-së organizon trajnime të përbashkëta për qeverisjen mjedisore për inspektorë, policë dhe prokurorë në Shqipëri
Publishing date: 13 mars 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Mirëqeverisja, Policimi, Sundimi i ligjit
Nga data 11 deri më 13 mars 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri trajnoi mbi 40 oficerë policie, prokurorë, inspektorë dhe ekspertë të mjedisit lidhur me identifikimin, hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve mjedisore. Pjesëmarrësit, që vinin nga qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Fierit, Durrësit, Tiranës dhe Dibrës, mësuan përmes studimit të rasteve, ushtrimeve simuluese dhe punës në grupe, që kishin për qëllim forcimin e karakterit ndërinstitucional të çështjeve mjedisore. Mbështetur në ekspertizën e tre trajnuesve, dy të huaj dhe një vendas, pjesëmarrësit u njohën me risitë më fundit se si të adresojnë në mënyrë efektive sfidat mjedisore dhe si t’i hetojnë ato duke përdorur praktikat më të mira në rajon. Ata theksuan nevojën për bashkëpunim ndërinstitucional dhe mirëkuptim të ndërsjellë të roleve në nivel vendor në trajtimin e sfidave mjedisore. Inspektorët e mjedisit thanë se ndarja e paqartë ligjore mes institucioneve të ndryshme pengon punën e tyre gjatë inspektimeve në terren. “Prezenca ka promovuar bashkëpunimin ndërinstitucional për të trajtuar kundërvajtjet dhe krimet mjedisore përmes përpjekjeve të ndryshme që përfshijnë inspektorët mjedisorë, policinë dhe prokurorinë. Qëllimi përfundimtar është që pjesëmarrësit të kultivojnë një kulturë bashkëpunimi, ekspertize të përbashkët dhe angazhimi proaktiv për t’u orientuar në kompleksitetin e inspektimit, identifikimit, parandalimit dhe ndjekjes penale të këtyre krimeve”, tha Elton Qëndro, oficer programi dhe menaxher projekti në Prezencën e OSBE-së. Trajnimet u mbështetën te vlerësimi bazë për inspektimin, hetimin dhe ndëshkimin e kundërvajtjeve dhe krimeve mjedisore, si edhe te vlerësimi i nevojave për trajnim për qeverisjen mjedisore, të dy të zhvilluar me nismën e Prezencës. Këto veprimtari janë pjesë e projektit “Forcimi i qeverisjes dhe sigurisë mjedisore në Shqipëri”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe financohet nga Norvegjia, Franca dhe Italia.
OSBE-ja mbledh të rinjtë dhe autoritetet vendore në Shqipëri për të nxitur angazhimin për cilësi më të mirë të ajrit dhe shëndetit
Publishing date: 12 mars 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Veprimtaritë mjedisore, Rinia
Rreth 70 anëtarë të Këshillave Rinorë dhe të autoriteteve vendore nga bashkitë Elbasan, Shkodër dhe Roskovec morën pjesë aktive në një seminar trajnimi gjithëpërfshirës për përmirësimin e cilësisë së ajrit në komunitetet e tyre. Objektivi kryesor i seminareve, që u zhvilluan nga 5 deri më 12 mars 2024, ishte edukimi i të rinjve pjesëmarrës për shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit dhe nxitja e tyre për të propozuar masa dhe nisma për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Në sesionet e trajnimit pati prezantime nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, pikat fokale të bashkive dhe nga Instituti për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit (ETMI). Akad. asoc. Besnik Bare, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, mbajti një sesion të veçantë, ku theksoi lidhjen kritike midis ndryshimit të klimës, ndotjes së ajrit dhe shëndetit publik. Anëtarët e Këshillave Rinor njohën rolin e tyre kyç si avokatë për mbrojtjen e mjedisit brenda territoreve të tyre dhe u angazhuan për të ndarë njohuritë e fituara gjatë seminareve me të rinjtë e tjerë, veçanërisht me ata nga grupet e cenueshme. Veprimtaritë ishin pjesë e projektit me fonde jashtëbuxhetore të Zyrës së Koordinatorit të Veprimtarive Ekonomike dhe Mjedisore të OSBE-së me titull “Fuqizimi i përgjigjeve ndaj rreziqeve të sigurisë nga ndryshimet klimatike në Evropën Juglindore, Evropën Lindore, Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore”, i cili, në Shqipëri, bashkërendohet nga Prezenca e OSBE-së, me ETMI-n si partner zbatues.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizon takim rajonal të njësive të qenve të policisë dhe prezanton një manual trajnimi
Publishing date: 1 mars 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
Më 28 dhe 29 shkurt 2024, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi takimin e dytë rajonal të ekspertëve për përmirësimin e kuadrit rregullator për njësitë e qenve të policisë. Takimi, i mbajtur për të dytin vit radhazi në Shqipëri, mblodhi përfaqësues të njësive të qenve të policisë nga Tirana, Sarajeva, Podgorica, Beogradi, Shkupi dhe Prishtina, si edhe ekspertë të përgatitjes së qenve të policisë nga Franca dhe Austria. Veprimtaria mundësoi seanca teorike dhe ushtrime praktike, diskutime dhe prezantime nga ekspertët e përgatitjes së qenve të policisë. “Duke marrë parasysh sfidat e ngjashme me të cilat përballet rajoni ynë, këto takime shërbejnë si një platformë përmes së cilës zyrtarët e juridiksioneve të Ballkanit Perëndimor, ekspertët ndërkombëtarë dhe komuniteti i donatorëve shkëmbejnë njohuritë dhe aftësitë mes njësive të qenve që përfitojnë nga projektet e ndihmës së OSBE-së,” theksoi Sasho Trpchevski nga Prezenca e OSBE-së. Saimir Boshnjaku, Drejtor i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, theksoi kontributin e takimeve të tilla për rritjen e kapaciteteve të Policisë Kufitare dhe Migracionit, përmes shkëmbimit të praktikave më të mira me partnerët. Ai vlerësoi bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit dhe Prezencës së OSBE-së përmes lidhur me projektin për armët e vogla dhe të lehta. Takimi rajonal i këtij viti u fokusua në manualin e sapohartuar të trajnimit, që do të shërbejë si një mjet për rritjen profesionale të të gjithë shoqëruesve dhe instruktorëve të qenve të policisë. Manuali, i përgatitur në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe sipas nevojave të Policisë së Shtetit, do të shërbejë si bazë për trajnimet e trajnerëve, që do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve dhe aftësive të qenve të policisë për zbulimin e armëve të zjarrit, municioneve dhe lëndëve plasëse të jashtëligjshme. Hartimi i manualit është një ndër veprimtaritë e shumta të projektit “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL)”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së, me fonde të Bashkimit Evropian, Gjermanisë dhe Francës. Takimi rajonal, i cili qe gjithashtu pjesë e projektit, u organizua me mbështetjen e Njësisë së Forumit të OSBE-së për Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë dhe në bashkërendim me projektet e OSBE-së për AVL-të në Ballkanin Perëndimor.
Prezenca e OSBE-së dhe Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për të rritur aksesin në drejtësi për të gjithë
Publishing date: 22 shkurt 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri
What we do: Të drejtat e njeriut, Sundimi i ligjit
Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory dhe Drejtori i Ndihmës Juridike Falas, Ergys Qirici, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, më 22 shkurt 2024, me qëllim përcaktimin e fushave me interes të ndërsjellë dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve. Misioni i Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas është të garantojë akses të barabartë në drejtësi për të gjithë njerëzit. Memorandumi është shprehje e mbështetjes së plotë të Prezencës për punën shumë të rëndësishme të kësaj agjencie të themeluar në vitin 2020. Siç parashikohet në dokument, Prezenca do të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve të Drejtorisë përmes trajnimeve për komunikimin me personat vulnerabël për organizatat e shoqërisë civile të licencuara për të ofruar ndihmë juridike falas, dhe do të mbështesë Drejtorinë të zhvillojë materiale për personat me shikim të dëmtuar dhe shtetasit e huaj. Gjithashtu, Prezenca do të mbështesë ngritjen e plotë të një klinike ligjore universitare në Universitetin e Elbasanit. Të dyja nismat synojnë rritjen e aksesit të publikut në drejtësi. Gjatë nënshkrimit, Prezenca e OSBE-së i dha Drejtorisë një manual të porositur nga Prezenca, i cili përmban metoda dhe teknika që do të zbatohen nga ofruesit e ndihmës juridike falas gjatë pritjes dhe komunikimit me grupeve e cenueshme. Në vitin 2022, Prezenca hartoi një udhëzues për komunikimin dhe pritjen e qytetarëve nga grupe të tilla, duke përfshirë të miturit, viktimat e dhunës në familje, pakicat (veçanërisht ato rome dhe egjiptiane) dhe personat me aftësi të kufizuara. Udhëzuesi shërbeu si material bazë për një trajnim për rreth 30 punonjës të Ndihmës Juridike Falas nga e gjithë Shqipëria, që Prezenca organizoi në nëntor 2023. Memorandumi u nënshkrua në kuadër të Javës për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë nga 15 deri më 22 shkurt 2024.
Gjykata Kushtetuese dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prezantojnë Udhërrëfyesin e parë të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese
Publishing date: 21 shkurt 2024
Gjykata Kushtetuese, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, prezantoi Udhërrëfyesin e parë të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, më 21 shkurt 2024. Përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, avokatë, akademikë, profesionistë të së drejtës dhe partnerë ndërkombëtarë morën pjesë në veprimtarinë e organizuar, e cila u hap nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj dhe Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së, Clarisse Pasztory. Udhërrëfyesi synon të përmirësojë cilësinë e ankimeve kushtetuese individuale, duke kontribuuar për rritjen e aksesit të qytetarëve në Gjykatë dhe për mbrojtjen më të mirë të të drejtave dhe lirive të tyre themelore. Ai do t’i shërbejë stafit gjyqësor për të përmirësuar kapacitetet kërkimore dhe do të ndihmojë Gjykatën Kushtetuese për të standardizuar vendimet. Udhërrëfyesi do t’u shërbejë edhe avokatëve, praktikantëve të së drejtës dhe studiuesve të ligjit për të njohur dhe referuar në mënyrë efektive jurisprudencën e kësaj gjykate. Prezenca e OSBE-së e mbështeti hartimin e Udhërrëfyesit si pjesë e projektit të saj “Forcimi i shtetit së drejtës dhe promovimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri nëpërmjet mbështetjes për Gjykatën Kushtetuese”, financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia dhe Greqia. Prezenca do të vazhdojë të mbështesë Gjykatën Kushtetuese në përpjekjet e saj për të rritur transparencën, aksesin dhe efikasitetin e veprimtarisë së saj si edhe forcimin e kapaciteteve institucionale për të mbështetur sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së.
OSBE-ja organizon hakatonin e parë kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri
Publishing date: 7 shkurt 2024
Content type: News
Where we are: Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Office of the Special Representative and Co-ordinator for Combating Trafficking in Human Beings
What we do: Combating trafficking in human beings, Sajber/ TIK Siguri
Tridhjetë përfaqësues nga institucionet shtetërore dhe organizatat e shoqërisë civile u angazhuan në hakatonin e parë kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri – një trajnim aktiv ku ata punuan së bashku për të zbuluar trafikimin e qenieve njerëzore në internet dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve, më 6 dhe 7 shkurt 2024. Veprimtaria u organizua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Zyrën e Përfaqësuesit Special dhe Koordinatorit të OSBE-së për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore. Nën drejtimin e ekspertëve ndërkombëtarë, mentorë në teknologjinë e informacionit dhe sigurinë kibernetike, pjesëmarrësit nga policia, shërbimet sociale, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) dhe organizatat e shoqërisë civile u angazhuan në zhvillimin e mjeteve për zbulimin e trafikimit dhe shfrytëzimit seksual në internet. “Teknologjia mund të zhvillohet dhe të përdoret edhe për të ndihmuar në luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore në mjedisin online. Kjo është arsyeja pse ne duhet të shohim mundësi përtej sfidave dhe pikërisht ky është qëllimi i këtij trajnimi novator”, tha Clarisse Pasztory, Kryetare në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, e cila foli në sesionin e hapjes krahas drejtorit të AKCESK-ut, Igli Tafa. Qëllimi i hakatonit ishte rritja e ndërgjegjësimit për mënyrat se si keqpërdoret teknologjia në Shqipëri për të shfrytëzuar viktimat, veçanërisht fëmijët. Ai synoi, gjithashtu, të identifikonte platformat dhe faqet e internetit që janë veçanërisht të ekspozuara ndaj rreziqeve të trafikimit të qenieve njerëzore dhe të ofronte një pasqyrë se si shfrytëzohen ato nga trafikantët. Përveç kësaj, hakatoni shërbeu për të ngritur një rrjet ekspertize për të adresuar trafikimin e qenieve njerëzore përmes teknologjisë duke përdorur metodologjinë e të mësuarit duke punuar, që i jep përparësi procesit të të nxënit përkundrejt teorisë dhe duke testuar njohuritë dhe kapacitetet e pjesëmarrësve në një mjedis të drejtpërdrejtë online për të zbuluar faqet e internetit dhe platformat e mediave sociale që rekrutojnë viktima për shfrytëzim seksual.